Tomë Gashi: Prokuroria i ka emrat e vrasësve të Astrit Deharit

Avokati mbrojtës i familjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, Tomë Gashi, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të zbuloj emrat e vrasësve të Deharit.

Ai në një intervistë ka thënë kjo çështje është bërë jashtëzakonisht e komplikuar për 3 vite, për shkak të disa prokurorëve, por së paku njërit që ka punuar në fillim që ka qenë prokuror në Prizren, dhe sipas tij rasti ka qenë shumë i thjeshtë dhe qysh në rastin e parë të vrasjes së Astrit Deharit gjurmë në trupin e tij kanë vërtetuar që është vrarë e jo vetëvrarë.

“Është rast i komplikuar që 3 vite, dhe në ekspertizën që e kemi marrë me parë është ditur se Astrit Dehari është vrarë, në pjesë të ndryshme që ka pasur ai si nga veshmbathja, ora që ka pasur janë gjetur ADN, të gjurmëve të personave të tretë, në mënyrë shkencore është eliminuar teoria e vetëvrasjes. Pra prokuroria i ka emrat, sepse prej prokurorisë i kemi marrë, për shkak se është Ligji për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe gjithçka ka shkuar përmes prokurorisë, e ka qenë involvimi i Ministrisë së Drejtësisë për çështje teknike. Por, diçka që është skandaloze në bazë të ekspertizës mungojnë shumë gjëra, një prej tyre ka qenë thonjtë, ku aty do të vëreheshin gjurmët e ADN-ve, të sulmuesve që fare lehtë identifikohen, por ato kanë qenë të zbrazëta”, ka thënë Gashi.