HABIT RONELA HAJATI: KAM PËRJETUAR BULIZËM

Në një rrëfim për jetën e saj mbrëmjen e kaluar, këngëtarja e dashur për publikun, Ronela Hajati ka zbuluar detaje nga fëmijëria, adoleshenca dhe dashuria.

Teksa ishte përballë Rudina Dembacaj në ‘Mos i fol shoferit’, këngëtarja tregoi se kur ka qenë fëmijë ka qenë shumë e lëvizur dhe ekspresive, madje në një udhëtim me prindërit ka dalë e vetme në autostradë duke i frikësuar së tepërmi. Ndërsa më vonë, pas moshës 5-vjeçare siç tregon ajo, ka qenë komplet tjetër njeri.

“Vetëm mësoja, kisha syze, rrija në bankë të parë, isha kjo gocë. Prandaj gjatë 8-vjeçares dhe deri në vit të parë e të dytë gjimnaz kam përjetuar bulizmin. Isha shumë e veçuar dhe vetëm në aktivitete merrja pjesë. Të gjithë ata që janë tallur me mua ua kam nxirë jetën duke kënduar për 8 vite këngën e ‘Titanikut’ në orën e muzikës, prandaj s’kam pengje”,-ka treguar ajo.

Ndërsa kur iu drejtua pyetja për dashurinë e parë, Ronela zbuloi se adhuronte Harry Poter-in në moshën 12-vjeçare, madje flinte me posterin e tij. Më tej këngëtarja ka treguar se ka shumë dëshirë të jetë pjesë e ‘Kënga Magjike’ këtë vit dhe ky është plani më i afërt që ka.