Rëndësia e martesës

Nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vet lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë”.

Nuk ka dyshim se martesa ka një rol të veçantë dhe tejet të rëndësishëm në ekzistencën dhe historinë njerëzore. Martesa është natyrshmëri e krijesave para se të jetë dispozitë fetare, madje ajo nuk është specifikë vetëm e njerëzve, por është domosdoshmëri e ekzistencës së të gjitha krijesave. A nuk lexojmë ne fjalën e Allahut i Cili thotë:

“Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, prej vetë njerëzve dhe ato që nuk i dinë!”Jasin, 36.

“Dhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar dy palë, në mënyrë që ju të vini veshin!” Edh-Dharijat, 49.

Dita dhe nata, e njoma dhe e thata, aktivja dhe pasivja, elektronet dhe protonet, mashkulli dhe femra, etj; Allahu i ka krijuar të atilla në mënyrë që jeta të marrë kuptim, të ketë gjallëri dhe vazhdimësi derisa të dëshirojë Allahu.

Por, njeriu është krijesa më e denjë që ka krijuar Allahu, e cila përmban të njëjtët elemente, mashkullin dhe femrën. Allahu inspiroi tek mashkulli dhe femra nevojën dhe prirjen që ka gjithsecili për palën tjetër… dhe kjo në mënyrë që të arrihet martesa (çiftëzimi) dhe të ketë vazhdueshmëri të jetës.

Allahu kur krijoi Ademin, nuk e la atë të vetëm; edhe pse ishte në Xhenet, Ai krijoi për të Havanë në mënyrë që të jetonin në Xhenet bashkë.

“Nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vet lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijo idashuri dhe mëshirë”. Err Rrum: 21.

Martesa pos të qenët një argument hyjnor dhe një mirësi për të cilën ne duhet vazhdimisht të falënderojmë Allahun, është gjysma e fesë dhe rrugë drejt gradave të devotshmërisë; është një vepër me të cilën u dalluan të gjithë Profetët dhe veçanërisht Profeti ynë i cili pohoi se martesa është rrugë dhe sunet i tij.

Përcillet nga Enesi -Allahu qoftë i kënaqur me të!- se Profeti -salallahu alejhi ue selem- ka thënë: “Kur robi martohet ka plotësuar gjysmën e fesë së tij, atëherë le t’i frikësohet Allahut në gjysmën e mbetur”.([1])

Po nga Enesi përcillet se njëherë erdhën tek Profeti -salallahu alejhi ue selem- tre persona të cilët pyetën për adhurimin e tij, kur panë se cili ishte adhurimi i Profetit, thanë:

-Njëri: “Unë do ta kaloj natën vetëm në falje!” Tjetri: “Unë do të agjëroj gjithmonë!” dhe tjetri: “Unë nuk do të martohem!”

Por, Profeti -salallahu alejhi ue selem- kur dëgjoi se ç’kishte ngjarë, hipi në minber dhe tha: “O njerëz! Unë jam njeriu më i devotshëm ndër ju, por unë falem dhe fle, agjëroj dhe ha dhe jam i martuar. Kush devijon nga suneti im, nuk është prej meje.”([2])

Ndërsa një herë Profeti -salallahu alejhi ue selem- iu drejtua të rinjve duke u thënë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi, le të martohet, sepse martesa të largon më shumë nga shikimi haram dhe të ruan më tepër nga imoraliteti. Dhe kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të.”([3])

 

Përzgjodhi dhe përshtati: Bledar Haxhiu