Plaku nga Vushtrria pretendon se ka arritur ta shërojë kancerin e lëkurës

Ka rreth 60 vjet që merret me përpunimin e ilaçeve të cilat kanë përmbajtje bimore. 74-vjeçari nga Vushtrria, Halil Braha, po pretendon se me ilaçet që i përgatit ka arritur ta shërojë edhe kancerin e lëkurës. Ai thotë se terapitë e tij bëjnë mrekulli edhe për hemorroide. Puna e tij po kërkohet edhe jashtë Kosovës.

Me mjekësi popullore merret qëkur ishte fëmijë. Këtë punë, Halil Braha, 74 vjeç, nga komuna e Vushtrrisë, për Gazetën Express, thotë se e ka trashëguar nga familjarët e tij. Ai prej më shumë se 60 vjet merret me përpunimin e laçeve të cilat kanë kryesisht origjinë bimore.

Mjeku popullor Braha tregon se me terapitë e tij ka arritur ta zhdukë kancerin e lëkurës.

“Nëse pacientët vijnë në një fazë të hershme pa problem ia largojmë kancerin e lëkurës. Ka pas raste kur ia kemi largu. Tash bilës së fundmi një pacientit në vesh kemi arritur që t’ia largojmë”, thotë Braha.

Tutje ai tregon edhe për sëmundjet e tjera të cilat thotë se ua ka gjetur ilaçin. Për hemorroide ai thotë se është ekspert.

“Familja jonë brez pas brezi është marrë me mjekësi bimore. Unë për këtë punë që e bëjë kam lexua shumë literaturë, kam bërë hulumtime, kam bashkëpunua me kimistë, biologë. Unë këtë punë gjithë e kam dashtë. Fatbardhësisht kësaj pune asnjëherë nuk i jam nda. Sot në këtë moshë që e kam janë disa rezultate të mira. Për hemorroide, bajamet, kancerin e lëkurës, psoriazën, sheqerin. Unë vetëm aty ku e di që ilaçet e mia kanë efekt unë i jap ilaçet”, shpjegon mjeku popullor.

74-vjeçari, Halil Braha, thotë se bimët për përpunimin e ilaçeve i mbledh në Kosovë.
“Bimët për përpunimin e ilaçeve kryesisht i marrim në Kosovë. Ne diku nga 300 deri në 400 bimë që jemi mundu me i shfrytëzua tash kemi ardhë diku në rreth 50 bimë. Kërkesa për këto bimë ka shumë, madje edhe nga personalitete të njohura kosovare”.
Tutje tregon rreth përpunimit të këtyre terapive.

“Ilaçet, konservimi, zakonisht kur dëshirojmë me e nxjerrë yndyrën e bimës, ilaçet i lemë gjithë verën që të qëndrojnë në diell. Konservimi bëhet kryesisht me vajra me presion të lirshëm natyral nga rrezet e diellit. Asnjë bimë nuk lejojmë që të thahet në diell, pasi që e humb përmbajtjen”, shpjegon për Express, mjeku popullor, Halil Braha.

E kërkesa për terapitë e këtij personi, ka shumë edhe jashtë Kosovës. Zvicra, Gjermania, Austria e Sllovenia janë vetëm disa nga destinacionet ku Halil Braha thotë se i eksporton ilaçet e tij të cilat kanë përmbajtje bimore.