Kryeministri : Demarkacioni, Temë e Kryer Për Malin e Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq ka thënë për RTK se demarkacioni nuk është në agjendën e tij gjatë vizitës në Kosovë, por se do ta diskutojë këtë temë nëse e hap kryeministri kosovar, Haradinaj.

“Demarkacioni është temë e kryer për Malin e Zi. Marrëveshja e nënshkruar nga të dy shtetet kurse Mali i Zi e ka ratifikuar në parlament këtë marrëveshje. Mali i Zi e ka kryer obligimin e vetë. Jam i besimit se Parlamenti i Kosovës do të ratifikojë marrëveshjen. Zvarritja nuk i ndihmon zgjidhjes”, tha Markoviq.

Ai ka thënë se Arbitrazhi nuk është zgjidhje e duhur.

Markoviq ka thënë se çështjen e demarkacionit nuk e sheh si diçka që i pengon marrëdhëniet në mes të dy shteteve, të cilat, siç thotë ai, janë të shkëlqyeshme.

Ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se temë e diskutimit në takim me homologun Markoviq nuk do të diskutohet për demarkacionin.

“Qëllimi i kësaj vizite ka thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, pra ky është qëllimi kryesor. Kosova ka një ide bashkëpunimi me Shqipërinë, një ide të tillë kemi edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Sa i përket Demarkacionit, tema është në parlament, nuk ka mbet shumë hapësirë për negocim mes kryeministrave”, kishte thënë Haradinaj.