Në Turqi realizohet transferimi i parë me bitcoina

Një klub turk i futbollit ka kompletuar për herë të parë një transferim në këtë vend, duke përdorur kriptovalutën bitcoin, raportoi CNN Turk të martën.

Harunustaspor, një skuadër amatore lokale, ka transferuar 22-vjeçarin Omer Faruk Kiroglu për 528.80 dollarë vlerë në bitcoina dhe 660 dollarë i ka dhënë kesh.

Kryetari i klubit Haldun Sehit ka thënë se lëvizja është e para e këtij lloji nga një klub sportiv në Turqi apo edhe në mbarë botën.

“Ne e kemi bërë këtë për të bërë emër për vete dhe vendin tonë nëpër botë. Jemi krenar me këtë”, ka deklaruar Sehit.

Valuta digjitale bitcoin është treguar shumë e paqëndrueshme në javët e fundit. Pasi arriti pikën më të lartë më 17 dhjetor, duke arritur pranë 20 mijë dollarëve në platformën Bitstamp, ka pësuar rënie prej më tepër se 50 përqindësh gjatë muajit që pasoi dhe ra nën 10 mijë dollarë. Por, që atëherë është stabilizuar dhe është pranë 11 mijë dollarëve.