Hashashi drejt zhdukjes në Shqipëri? Interforza: Nuk ka më kultivim masiv

Autoritetet italiane të Guarda di Finanza dhe Interfoza që po operojnë në Shqipëri, konfirmojnë se këtë vit nuk rezulton të ketë kultivim masiv dhe në mënyrë të organizuar të kanabisit.

Bazuar në 23 orë fluturime arjore, që përbëjnë një të pestën e gjithë orëve të misionit të fluturimeve për vitin 2017, nuk janë identifikuar parcela të kultivuara me hashash.

Kolonel Giovanni Conti, në një takim që zhvilloi me drejtuesit e Policisë së Shtetit vlerësoi punën parandaluese që është bërë në këtë drejtim.

Edhe komandanti Luca De Paolis ka theksuar se gjatë 4 fluturimeve në muajt maj-qershor, tendenca e kultivimit të kanabisit është zero.

Megjithatë, kreu i policisë Haki Çako është shprehur se kjo është periudha paraprake e kultivimit dhe do të duhet të presim deri në muajin korrik, për të qenë më të sigurt në shpalljen e një fitoreje përfundimtare ndaj këtij fenomeni.

Në takim është vlerësuar edhe goditja e rastëve të trafikimit të kanabisit përmes Adriatikut, ndërkohë që në mjediset e Policisë së Shtetit është ngritur edhe laboratori për misionin e fluturimeve nga ana e Policisë Italiane ne Shqipëri, që është i plotësuar edhe me pjesën universitare, qendrën BENECON, për përpunimin në kohë reale të të dhënave të mbledhura.