Ministri që po ia ndryshon pamjen qyteteve të Kosovës

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës

Tetë korsi do të ketë rruga hyrëse-dalëse nga Prishtina në drejtim të Veternikut. Është kjo rruga që i jep pamjen e një metrolopoli kryeqytetit të Kosovës. Por, nuk është vetëm Prishtina që po përfiton nga zgjerimi i rrugëve, por edhe qytetet e tjera të mëdha.

Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës shpjegon se këtë vit kanë filluar realizimin e projektit të parë rrugor në Kosovë me tetë korsi në drejtim të Veternikut, derisa shprehet se po vazhdojnë me rekonstruimin e plotë të rrugëve QMI-Veternik dhe Prishtinë-Fushë Kosovë, duke zgjeruar rrugët dhe duke siguruar qasje të plotë për çdo biznes. “Ndërtuam segmentin prej 5 km të qarkores së Prishtinës, nga Veterniku deri në kyqjen e autostradave Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi. Gjithë këto investime çlirojnë komunikacionin në hyrje-dalje të Prishtinës, rrisin sigurinë në komunikacion dhe po i japin kryeqytetit tonë pamje madhështore të një metropoli”, thotë Zharku.

Ministria ka filluar zgjerimin e rrugës nacionale Podujevë-Prishtinë, pastaj ka filluar zgjerimin e rrugës nacionale në hyrje të Pejës, ka filluar zgjerimi i rrugës nacionale Suharekë-Korishë, derisa po vazhdon zgjerimi i rrugës rajonale Komoran-Drenas-Skenderaj. Tani ka përfunduar zgjerimi i rrugës nacionale Gjurgjicë-Kijevë, si dhe ka përfunduar zgjerimi i rrugës nacionale Milloshevë-Lumi i Madh.

Në ndërkohë, do të vazhdojmë  me zgjerimin e rrugës nacionale prej Lumit të Madh deri në Mitrovicë.

Por, nuk janë këto projektet e vetme.

Ministri Zharku thotë se për shumë projekte ka gjetur edhe mbështetjen e donatorëve dhe formave të tjera të financimit. “Në bashkëpunim me institucionin financiar ndërkombëtar me renome Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po rindërtojmë rrugët hyrëse-dalëse në qytetet si Gjilan, Ferizaj e Prizren. Në bazë të memorandumeve të mirëkuptimit me komuna, kemi filluar financimin e 174 projekteve infrastrukturore lokale. Kemi përfunduar asfaltimin e mbi 100 kilometra rrugë nacionale dhe mbi 60 kilometra rrugë rajonale”, thotë Zharku, duke shtuar se nga viti në vit është rritur buxheti për infrastrukturë, në vlerë mbi 100 milionë euro. “Në fund të vitit 2016, kemi bërë përurimin e 25 kilometrave të parë të autostradës Arbën Xhaferi, ndërsa këtë vit fillojmë me ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë në gjatësi prej 47.1 kilometra. Me BERZH-in jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes së huasë për financimin e autostradës Kijevë-Zahaq. Në kuadër të procesit të Berlinit, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, BERZH-in dhe Bankën Investive Evropiane do të përfundojmë segmentin e mbetur të autostradës Ibrahim Rugova prej Besisë deri në Merdar”, thotë ministri Zharku.

Ministria e drejtuar nga LutfiZharku është angazhuar në liberalizmin e tregut në fusha të ndryshme. “Në fushën e patentshoferëve kemi rritur transparencën përmes funksionalizimit të dy projekteve: instalimin e kamerave monitoruese në sallat e testimit dhe vendosjen e kamerave duale në automjete”, thotë Zharku.

Zharku thotë se Ministria ka punuar në liberalizimin e plotë të tregut të aviacionit civil, duke kontribuar në rritjen e numrit të udhëtarëve nga viti në vit, duke arritur në mbi 1.7 milionë udhëtarë në vitin 2016. “Projekti i zgjatjes së pistës do të mundësoj aterimin e aeroplanëve të mëdhenj për udhëtime tejoqeanike, pastaj ngritja e sistemit instrumental të aterimit do të mundësoj aterimin e aeroplanëve edhe në mot me mjegull të dendur”, thotë Zharku, duke shtuar se kanë arritur të bëjnë eleminimin e të gjitha barrierave administrative edhe në licencimin e operatorëve të transportit të udhëtarëve dhe mallrave. Po ashtu, Zharku thotë se kanë mundësuar liberalizmin e plotë të tregut të terminaleve të mallrave dhe kontrolleve teknike.