Beqaj kundër Hotit: Buxheti nuk mund të bëhet 5 miliardë euro

Anëtari i PDK-së, Besim Beqaj nuk i ka besuar asaj që rivali i tyre nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka thënë se do ta rrit buxhetin në pesë miliardë euro brenda katër viteve. Ai ka thënë se kjo rritje nuk mund të behët asnjëherë brenda një mandati.
“Ende nuk mund të besoj që këtë e ka thënë zoti Hoti, është ndonjë gabim teknik. Një njeri që njeh rrethanat ekonomike nuk e besoj që e ka thënë se buxheti mund të rritet në pesë miliardë”, ka thënë Beqaj në RTK.

Ai më tej ka vazhduar duke thumbuar rivalët, duke theksuar se i vetmi sukses i qeverisë Mustafa është rritja e TVSH nga 16 në 18 për qind.

“Nëse thuhet se brenda një mandati qeveritar, buxheti do jetë 5 miliardë do të thotë se rritja ekonomike do të jetë për 30 për qind. Kjo nuk është e mundur, dhe nuk kisha dashur të komentoj më shumë”, ka thënë Beqaj.

Ai ka thënë se PDK ka planifikuar që brenda mandatit qeverisës të bëjë rritjen ekonomike për 8 për qind. Sipas tij kjo gjë është e mundur.